IKMT nis inspektimet, ndëshkim për subjektet që nuk plotësojnë kushtet për sigurinë në kantier
IKMT paralajmëron masa të rrepta ndaj subjekteve që shkelin rregullat e sigurisë teknike në kantieret e ndërtimit, pas rritjes së aksidenteve në vitet e fundit.
Plan i detajuar për sigurinë në punë
“Ata që nuk kanë plotësuar kërkesat për sigurinë teknike, do të ndëshkohen rreptësisht”, deklaroi nga terreni Afrim Qëndro, kryeinspektor i IKMT-së. Ai theksoi se, duke marrë në konsideratë numrin e lartë të vdekjeve në kantieret e ndërtimit, sidomos gjatë viteve të fundit, është përgatitur një plan pune i detajuar për të garantuar respektimin e standardeve të sigurisë.
Sipas tij, gjatë verifikimeve paraprake janë konstatuar shumë subjekte që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme në zbatim të ligjit.
Kontrolle në çdo kantier, afate për korrigjim
Aksioni për kontrollin e kantierëve po zhvillohet nga IKMT, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, inspektoriati vendor i Tiranës dhe policia bashkiake. Pas verifikimeve, në varësi të madhësisë së kantierit, subjekteve do t’u lihet një afat prej një jave deri në 10 ditë për të korrigjuar mangësitë e konstatuara.
Qëndro njoftoi se do të kryhet një kontroll i dytë dhe për ata që vijojnë të shkelin ligjin do të ketë pasoja. Në fokus të monitorimit do të jenë si ndërtimet e banesave sociale nga bizneset private, ashtu edhe objektet social-kulturore të financuara nga shteti. “Të gjitha do të futen në filtrin e këtij kontrolli”, u shpreh drejtori i ri i IKMT-së.
Hapësirat publike dhe siguria e qytetarëve
I pyetur për rastet e devijimit të lejeve apo mosrespektimit të kushteve teknike, Qëndro u shpreh se ka të dhëna për objekte që nuk përmbushin standardet dhe kjo ka qenë arsyeja që prioriteti i tij i parë në detyrë të jetë siguria në komunitet. “Nuk mund të bllokohet trotuari, fëmijët, nënat, pensionistët të kalojnë ashtu dhe të rrezikojnë jetën. Do jem shumë korrekt në këtë proces”, deklaroi ai.
Lidhur me zaptimin e hapësirave publike në kryeqytet, kryeinspektori tha se inspektoriati vendor i bashkisë Tiranë ka nisur punën dhe se raporti ligjor për ndarjen e hapësirës publike dhe asaj që do të kenë bizneset është në proces dhe pritet të përfundojë së shpejti.